Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Republikën e Kosovës, që do të mbahen të dielën.
Sipas njoftimit, qëllimi është mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.
Në komunikatën për media thuhet se për këtë proces janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në komunikatë.
