Edhe përpjekja e 12-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi me dështim, raporton Ekonomia Online.
Vazhdimi i sotëm i seancës nisi përsëri me tentimin e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet për këtë komision, por këto parti nuk pranuan që të propozojnë kandidatë dhe nuk morën pjesë në votim. 56 vota ishin për dhe 1 kundër.
Kryesuesi Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se do të vazhdojë, pasnesër më 9 maj.
Pas seancës mbizotëruan deklaratat për propozimin e kryetarit të LDK-së për qeveri të tranzicionit.
Kurti s’flet për qeveri tranzicioni, Murati : LDK-ja me propozimin e saj po sillet si në kohën e UNMIK-ut
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e komentoi propozimin e një dite më parë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për një qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit, kur u pyet nga gazetarët pas homazheve me rastin e 27-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, kolegu i tij partiak, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se LDK-ja me propozimin e saj po sillet si në kohën e UNMIK-ut, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, opozita ka mbetur pa një zgjidhje tjetër dhe propozimin për një qeveri tranzicionale e ka nxjerrë si kartën e fundit.
“Refuzojnë ftesat për bashkëpunim, refuzojnë zgjidhjen me votim të fshehtë, e akuzojnë Vetëvendosjen për bllokim. Kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër, pos hipokrizi. Deri më tani as nuk është vënë në testim votimi i fshehtë. Tani kur ka filluar që pagat të rrjedhin nuk po ju bëhet dert. Përgjigjja u dha një ditë me herët nga një zëdhënës, një ditë me pas u zyrtarizua nga Kryesia, vendimmarrja në këtë rast është zhvendosur nga kryesia e organet në një vend tjetër. Përgjigja e tillë neve na befasoi. Tani e kanë nxjerrë edhe kartën e fundit si në kohën e UNMIK-ut. Kjo nuk është serioze”, tha Murati.
Krasniqi: Për Kurtin më e rëndësishme Albulena Haxhiu sesa një milion qytetarë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se po shihet se për Albin Kurtin më e rëndësishme është Albulena Haxhiu sesa një milion qytetarë, raporton Ekonomia Online.
“Nuk kanë shumicë, e kanë lënë Kosovën pa institucione. Kuvendi duhet që të konstituohet dhe të formohet qeveria. Duhet që të ndërrohet kandidatja që ka dështuar dhe do të dështojë sa herë që të vijë në Kuvend. E ftoj Kurtin që të tregojë se a e ka më të rëndësishme Haxhiun apo mbi një milion qytetarë. Po shihet se për të më e rëndësishme është Haxhiu. Sot do t’i takoj kolegët e kryesisë së PDK-së. Ka rastisur që të jetë edhe mbledhja e rregullt”, tha Krasniqi.
Bajrami: Propozimi i LDK-së është bërë për të mirën e vendi
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se propozimi i LDK-së për qeveri të tranzicionit është bërë për të mirën e vendit dhe se LDK-ja nuk e ka menduar asnjëherë pozicionin e vet se ku do të jetë, raporton Ekonomia Online.
“Është e qartë se kush është bllokuesi dhe kujt është duke i munguar vullneti politk. Kur nuk i ke numrat, në këtë rast si VV-ja, nuk mund t’u diktosh të tjerëve mënyrën për zhbllokimin e situatës. Jo, nuk kemi marrë përgjigje nga partitë e tjera. Jo, nuk ka të bëjë kjo me frikën, por besoni që në një opsion të tillë, nëse LDK të ishte e i interesuar për pozita dhe pushtet, do të bënte marrëveshje me VV-në. Nuk është frikë. Është konsistencë. Ne kur e kemi hartuar propozimin nuk e kemi menduar asnjëherë pozicionin tonë se ku do të jemi ne. Kemi menduar që të ulemi me të gjitha partitë politike për të mirën e Kosovës. Kemi vendosur vendin para partisë. Komuniteti i pakicave ka problem mes vete, siç ka probleme komuniteti shqiptar. Çfarëdo qeverie që do të formohet Emilija Rexhepi me anëtarët e saj do të jenë pjesë e qeverisë. Ne kemi thënë qeveri me të gjitha partitë shqiptare, duke përfshirë edhe kategoritë kushtetuese”, tha Bajrami.
Haradinaj: Nëse nuk ka një ofertë të qartë, atëherë zgjedhjet zgjidhja më e mirë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e partive opozitare, përfshirë atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth ngërçit në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse ekzistojnë dallime në qëndrime me LDK-në, ai u shpreh se nuk është mirë të mbyllen dyert për dialog .
Haradinaj tha se AAK mbetet e përkushtuar ndaj qëndrimit për të ndihmuar krijimin e një “qeverie të opozitës” si opsion për tejkalimin e krizës. Megjithatë, ai shtoi se nëse nuk ka një ofertë të qartë, atëherë zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e mirë.
“Vazhdimisht diskutojmë me Abdixhikun për zhvillimet në Kuvend, për ngërcin politik. Ja shpjegova se është ide e mirë të ketë konsulta. I kemi disa dallime me këtë qëndrim, por nuk është mirë të mbyllen dyert. Mbesim me qëndrimin që Aleanca ta ndihmojë qeverinë e opozitës. Ky është opsioni ynë. Vendi dhe qytetarët po përballen me shumë probleme, andaj është me rëndësi që të tejkalohet ngërçi. Nëse oferta është kështu më mirë të shkojmë në zgjedhje”, tha Haradinaj.
Limaj: Nëse kemi ftesë nga Abdixhiku i përgjigjemi, ideja ime është një qeveri e shumicës
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se partia e tij parapëlqen qeveri të shumicës dhe se është e gatshme t’i përgjigjet ftesës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Nëse kemi ftesë ne do të përgjigjemi për të shkuar dhe për ta dëgjuar. Ideja ime është një qeveri e shumicës”, tha Limaj.
Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë, tha se Kosova ka nevojë për qeveri të shumicës dhe se “kjo mund të ndodhë sepse ka potencial” për formimin e saj.