Publikohet përmbajtja e letrës së kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që iu dërgua presidentes Vjosa Osmani, duke iu kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme përpara.
“E nderuara Shkelqësia juaj, Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
Ju drejtohem në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikes Kosovës për legjislaturën e IX-të. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, rendi i ditës për seancën e djeshme konstituive ishte:
– Formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve,
– Betimi i deputetëve,
-Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
– Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Lidhur me pikën e parë, për njoftimin tuaj, Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, u votua me shumicë të votave në Komision, mirëpo si asnjëherë më parë, ky Raport, nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi.
Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive. Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, thuhet në letrën
e drejtuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që iu dërgua presidentes Osmani.
Më herët Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani, tha për Ekonomia Online .
se ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar këtë letër për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë.