Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” kanë hyrë në ditën e shtatë të grevës në oborrin e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar pagesën e borxhit prej 2.7 milionë euro që komuna ia ka ndërmarrjes, raporton Ekonomia Online.
Ata qëndrojnë në tenda ditë e natë dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen pa u realizuar kërkesat.
Greva po zhvillohet në tri ndërrime dhe punëtorët thonë se nuk do të tërhiqen pa u realizuar kërkesat.
Kryetari i Sindikatës, Ardian Krasniqi, tha se borxhi është akumuluar pas vendimit të Komunës për të mos i obliguar qytetarët të paguajnë për shërbimet, gjë që ka shkaktuar dëme financiare për ndërmarrjen.
“Greva vazhdon, ashtu siç kemi deklaruar në tri ndërrime dhe do të vazhdojë derisa të na plotësohen kërkesat. Kërkesat janë të njëjta. I dinë të gjithë, i kemi postuar edhe në faqe.
Kryesorja është pagesa e shërbimit pesëmujor, që kemi shërbyer pa të hyra, sepse na ka dëmtuar thirrja e Komunës që të mos paguajnë qytetarët. Këto mosmarrëveshje na kanë sjellë deri në këtë gjendje.
Kontrata është shumë me rëndësi, operatorët privatë, statusi i KRM-së. Greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave, sepse ne nuk kemi nga të shkojmë më. Nëse kthehemi atje, ne mbesim pa punë”, tha Krasniqi.
Shoferi, Halil Behluli, tha se për shkak të mungesës së mjeteve, kompania nuk mund të furnizohet as me derivate, çka rrezikon edhe pagesat e rrogave.
Ai kërkoi që komuna dhe menaxhimet të gjejnë një zgjidhje sa më parë.
“Ne jemi ardhur në një situatë që nuk mund të operojmë për shkak të mjeteve që komuna nuk i ka alokuar kompanisë sonë. Kemi ardhur deri në një mungesë të derivateve fillimisht dhe për këtë arsye ne nuk mund të operojmë. Si pasojë e kësaj në të ardhmen ne mund të shohim edhe mungesën e pagave dhe kjo na shqetëson edhe më shumë, sepse të gjithë vijmë të punojmë për të siguruar një pagë. Këtu kemi ardhur në grevë që Komuna së bashku me menaxhmentin të bëjnë një zgjidhje. Le ta gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të zgjidhin gjërat. Ne vazhdojmë me grevën, derisa të jenë të gatshëm të ofrojnë një zgjidhje. U shprehim keqardhje të gjithë qytetarëve, të cilëve nuk po mund t’ua kryejmë shërbimin. Për shkak të këtyre politikave, jemi këtu ku jemi në këtë situatë”, tha Behluli.



