Me formimin e Qeverisë së re dhe me rastin e përvjetorit të 18-të të pavarësisë, Kosova u përshkua nga një valë urimesh nga krerët më të lartë të Evropës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Përtej diplomacisë ceremoniale, thelbi i mesazheve nga kryeqytetet evropiane kumboi te zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, përshpejtimi i reformave, si dhe angazhimi në dialogun me Serbinë.
Mesazhi i Presidentit të Francës Emmanuel Macron ishte drejtpërdrejtë, duke e zhvendosur vëmendjen te jetësimi i zotimeve të marra.
Në një letër urimi për Përvjetorin e Pavarësisë dërguar Presidentes Osmani, ai e artikuloi mesazhin pa ekuivoke, duke thënë ndër të tjera se “Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit e kanë përcaktuar drejtimin” dhe se “u takon të dyja palëve t’i zbatojnë obligimet e tyre.”
Pikërisht mbi këtë nevojë urgjente për unitet evropian, Macron e kaloi përgjegjësinë te palët, duke theksuar se paqja rajonale nuk është thjesht një dëshirë, por kusht i panegociueshëm.
“Në këtë frymë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje thelbësore dhe ka një dimension qendror sa i përket pajtimit në rajonin tuaj. Franca do të vazhdojë ta mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Ohër ka, në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë. U takon palëve ta zbatojnë atë pa vonesë dhe në mënyrë të plotë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Presidentit Macron.
Edhe Berlini e vendosi dialogun me Serbinë në qendër të pritshmërive për mandatin e ri. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e cilësoi normalizimin e marrëdhënieve si një detyrë të nënkuptuar dhe të domosdoshme të qeverisjes.
“Ju dhe Qeveria juaj keni përpara detyra sfiduese. Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Kosovës. Këtu bëjnë pjesë edhe hapat e mëtejmë në kuadër të dialogut për normalizim me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ishte mesazh i Merz.
Mesazhin e Macron e përforcoi edhe diplomacia franceze në Prishtinë, e cila e lidhi legjitimitetin institucional me përmbushjen e obligimeve të dialogut, duke u shprehur: “Do të vazhdojmë të mbështesim dialogun… dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.”
Ndërkaq, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, e bëri të qartë pritshmërinë që Kosova të mbajë një “angazhim të vazhdueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, duke e cilësuar si “thelbësor” funksionimin efikas të Kuvendit dhe të Qeverisë për të garantuar përparimin e vendit.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në urimin e saj, e theksoi si tepër të rëndësishme që qeveria “të lëvizë me shpejtësi me reformat”, pasi kjo shihet si rruga e vetme për të zhbllokuar mbështetjen evropiane dhe për të çuar përpara dialogun.
