Socialistët në Shqipëri janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të festuar fitoren e madhe që arritën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Festimi ka përfshirë prani të shumtë, me kryeministrin Edi Rama dhe familjen e tij në mesin e tyre.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se ky ishte një moment i veçantë për socialistët, të cilët u rikthyen në këtë shesh pas 33 ditësh, duke kujtuar fushatën që u zhvillua në 12 qarqet e vendit, ku punuan ngushtë me gratë dhe vajzat për të fituar besimin e qytetarëve.
“Këtë fitore e arritëm pas një periudhe të vështirë dhe pas 30 ditëve ku shqiptarët dëgjuan, vlerësuan dhe më 11 maj na besuan mandatin e katërt,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se ky ishte një mandat i besuar më shumë se kurrë, për një sfidë më të madhe se ajo e katër viteve të shkuara.
Rama shtoi se ky rezultat është një shenjë e shpresës për Shqipërinë Evropiane dhe një hap më afër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. “Po ndërtojmë Shqipërinë evropiane gur pas guri,” tha ai.
Kryeministri gjithashtu theksoi se, ndërsa disa mund të shihnin Shqipërinë mes errësirës, populli shqiptar zgjodhi dritën.
“Në mes të dritës së Evropës dhe errësirës së gropës së një kapele fake, Shqipëria zgjodhi dritën. Faleminderit Shqipëri,” u shpreh ai.
Rama përmendi se kjo fitore ka pasur një peshë të veçantë për të, duke e cilësuar atë më të vështirën e të gjitha fushatave.