Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është nerovzuar me komunikatën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila, përmes një njoftimi, theksoi se “Qeveria mund të ndikojë në uljen e ndikimit të faturave vetëm përmes mekanizmit të subvencionimit direkt te konsumatoret, por kjo nuk përbën vendimmarrje rregullative.”
Në një reagim në Facebook, Rizvanolli i kërkoi ZRrE-së të mos merret me politikat qeveritare, duke i bërë thirrje që kohën ta shfryëtzoj për të analizuar “shkaqet e rritjes aq të madhe të kostos së furnizimit me energji gjatë vitit të kaluar.”
“ZRrE, në vend se të merret me politika qeveritare, bën mirë të shfrytëzojë kohën të analizojë në mënyrë të detajuar shkaqet e rritjes aq të madhe të kostos së furnizimit me energji gjatë vitit të kaluar, përfshirë 10-fishimin e tarifave të transmisionit, dhe nëse këto kanë mundur të evitohen – siç u kam kërkuar edhe përmes komenteve, edhe gjatë takimit në procesin konsultativ. Kjo duhet të jetë tema e parë që Komisioni parlamentar i ardhshëm për Ekonomi do ta trajtojë.” – tha Rizvanolli.