I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot për takim ambasadorin gjerman Jorn Rohde.
Në postimin tij, kryetari i LDK ka bërë të ditur se ai me Rohde’n kanë biseduar për situatën politike në vend dhe qëndrimet e kësaj partie lidhur me këto çështje.
Po ashtu, Abdixhiku ka theksuar nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.
”Bëra dhe thirrje për rishqyrtim të këtij vendimi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbajnë barrën e zhvillimeve politike”, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Kam pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jorn Rohde.
Gjatë takimit, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me këto çështje. Shpreha mirënjohjen time dhe të LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin ekonomik.
Ndërsa me theks të veçantë, fola për nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve tanë. Bëra dhe thirrje për rishqyrtim të këtij vendimi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbajnë barrën e zhvillimeve politike.
Përmes ambasadorit Rohde, shfrytëzova rastin ta uroj koalicionin e ri qeverisēs nē Gjermani, duke besuar në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet vendeve tona, por në veçanti besoj shumë në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes CDU-së dhe LDK-së, si dhe shpreha angazhimin tonë të përbashkët për forcimin dhe avancimin e këtij bashkëpunimi politik e institucional mes partive tona.