Gjatë këtij muaji, Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) pritet të bëjë shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Njohës të ekonomisë thonë se rritja e mundshme e tarifave do të ndikojë negativisht tek bizneset, duke i detyruar ato të rrisin kostot e prodhimeve finale.
Megjithatë, dyshime mbi transparencën e procesit të vendosjes së çmimit të energjisë, ka njohësi i energjisë, Hamdi Malushaj.
Ai thotë se qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht dhe të bëjë një auditim për të verifikuar nëse rritja është e justifikuar apo jo, duke e bërë këtë siç thotë ai proces më të hapur dhe të besueshëm.
Sipas ZRrE, ky proces pritet që të përfundojë deri ne fund të muajit mars 2025.
Kujtojmë se nga prilli i vitit 2023, deri më 31 mars 2024 konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës ishte ngritur në 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi ishte bërë prej 14.45 centësh, ose mbi 100 për qind më shtrenjt krahasuar me vitin 2013, raporton KosovaPress.
Ndërkohë më 2 prill 2024, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRrR) kishte marrë vendim për lirim simbolik të çmimit prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Ky vendim erdhi si rrjedhojë uljes së çmimit të rrymës për import.
Sipas ZRrE-së, pas këtij vendimi, tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.
Sipas raportit vjetor të ZRrE-së, më 2023 për kategorinë e konsumatorëve familjar çmimi mesatar i energjisë elektrike është 7.12 centë për kilovat, që është më i lartë për 15.93 për qind se në vitin 2022 kur ka qenë 6.14 centë për kilovat, ndërsa për konsumatorët jo-familjar çmimi mesatar i energjisë është 9.36 centë kilovat që është më i lartë se çmimi mesatar në vitin 2022 kur ka qenë 9.27 centë për kilovat.
Dhjetë vjet më herët, në vitin 2013, çmimi mestar i rrymës për familjar ishte 5.15 centë për kilovat, ndërsa, 7.21 centë për ata jo-familjarë.
Ndërsa, sipas rregullatorit të energjisë, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjar dhe jo-familjar për dhjetë vitet e fundit, çmimet nuk përfshijnë TVSH-në.
Tarifa e natës, më e lirë, vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit.