Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerësoi se pas 45 herë dështimi për konstituimin e Kuvendit, Kosova nuk po humb thjesht minuta e ditë – po humb besimin e investitorëve, zhvillimin ekonomik, mundësitë për punësim dhe perspektivën e gjeneratave të reja.
Aleanca Kosovare të Bizneseve (AKB), e vlerëson me shqetësim dhe indinjatë këtë gjendje të papërgjegjshme që po paralizon vendin.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset dhe qytetarët janë ata që po paguajnë faturën e rëndë të krizës politike, ndërsa politika merret me llogari të ngushta partiake.
“Po bllokohen ligjet që janë jetike për ekonominë dhe klimën e biznesit.
Po vonohen investimet publike që krijojnë vende pune dhe gjallërojnë ekonominë.
Po dëmtohet imazhi i Kosovës në sytë e investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Po ngadalësohet integrimi evropian dhe përmbushja e reformave që vendi i ka premtuar.
Është e papranueshme që për shkak të ambicieve politike dhe mungesës së konsensusit, e ardhmja ekonomike dhe zhvillimi i Kosovës të mbesin peng i një Kuvendi të paralizuar.
Nuk ka më vend për heshtje as për justifikime!
Institucionet duhet të konstituohen menjëherë. Vendi ka nevojë për stabilitet, politika të përgjegjshme dhe veprime konkrete – jo për krizë të pafund dhe kalkulime partiake.
Kosova ka humbur mjaft. Tani duhet të zgjohet dhe të ecë përpara – me institucione funksionale, ekonomi të gjallë dhe vizion për të ardhmen”, tha kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve – AKB, Agim Shahini.