Teksa konflikti në Lindjen e Mesme shënon dy javë, Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar një pikë të rëndësishme strategjike, ishullin Kharg të Iranit.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se ky ishte një nga sulmet më të fuqishme bombarduese në Historinë e Lindjes së Mesme.
Trump tha se nga bombardimet u shkatërrua plotësisht çdo objektiv ushtarak në atë që e quajti perlën e kurorës së Iranit.
Kharg është një ishull i vogël në Gjirin Persik verior, pranë bregdetit të Iranit.
Megjithatë, është jetik pasi shërben si terminal për pothuajse të gjitha eksportet e naftës së vendit të Lindjes së Mesme. Deri më tani, ai ishte lënë i paprekur nga lufta.
Trump paralajmëroi se do ta rishqyrtojë menjëherë vendimin e tij për të mos synuar infrastrukturën e naftës në ishull nëse Irani vazhdon të ndërhyjë në anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Pas goditjes së ishullit Kharg, Irani ka kërcënuar me sulme ndaj objekteve të naftës të lidhura me Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Një zëdhënës i ushtrisë iraniane paralajmëroi se do të shënjestrojë të gjitha infrastrukturat e naftës, ekonomike dhe energjetike që u përkasin kompanive të naftës në të gjithë rajonin që kanë aksione amerikane ose bashkëpunojnë me Amerikën nëse sulmohet infrastruktura energjetike dhe ekonomike në Iran.
Ndërkohë kanë vazhduar edhe sulmet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në Iranin perëndimor një sulm ajror vrau gjashtë iranianë nga e njëjta familje, mes tyre një foshnjë gjashtë muajshe.
Ndërkohë banorët e kryeqytetit Teheran thanë se sulmet e fundit ishin ndër më të rëndat që nga fillimi i luftës.
Teherani vazhdoi hakmarrjen ndaj vendeve të rajonit. Ambasada amerikane në Bagdad u godit me dronë dhe raketa, që shkaktuan një zjarr në ndërtesë.
Sulmet nuk janë ndalur edhe në Dubai, ndërsa Ministria e Brendshme e Katarit bëri një njoftim duke thënë se po evakuonte një numër zonash si masë paraprake.
Duket se qëllimi i kësaj mbase është të mbrohen vendet që strehojnë interesa ekonomike amerikane.
Kanë vazhduar gjithashtu sulmet mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah në Liban. Sulmet izraelite goditën një qendër të kujdesit shëndetësor, duke vrarë të paktën 12 personel mjekësor.
