Një nga marrëveshjet më të rëndësishme të shpallura të martën gjatë takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, është “marrëveshja më e madhe e shitjes së mjeteve të mbrojtjes në histori”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Sipas këtij njoftimi, marrëveshja kap vlerën prej rreth 142 miliardë dollarësh dhe përfshin furnizimin e Arabisë Saudite me “mjete luftarake dhe shërbime moderne nga dhjetëra firma të mbrojtjes amerikane.”
Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë angazhim si pjesë e një partneriteti të ri strategjik ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Trump pritet të mbajë një fjalim më vonë gjatë ditës në Forumin e Investimeve që po mbahet në Riad, ku pritet të zbardhen edhe më shumë detaje mbi marrëveshjen dhe bashkëpunimin ekonomik dypalësh.