Tre shtetas shqiptarë rezultojnë të zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që shembi një ndërtesë në rrugën “Lysikratous”, në zonën e Plakës në Athinë.
Shpërthimi ndodhi mëngjesin e së premtes dhe shkaktoi shembjen e një pjese të ndërtesës. Deri tani, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë dy trupa nga rrënojat, raportojnë mediat greke.
Një prej viktimave ishte një grua, ndërsa trupi i dytë, sipas autoriteteve greke, i përket një 77-vjeçari me shtetësi britanike.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon. Në vendngjarje ndodhen rreth 30 zjarrfikës, gjashtë automjete, ekipe të specializuara të EMAK-ut dhe qen kërkim-shpëtimi.
