DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

Shtetasi i Kosovës e pranon fajësinë për vjedhjen e identitetit të amerikanëve

24 Shtator 2026
A A
Shtetasi i Kosovës e pranon fajësinë për vjedhjen e identitetit të amerikanëve
Share on Facebook

Shtetasi i Kosovës, Ardit Kutleshi, 28-vjeçar, ka pranuar fajësinë lidhur me krijimin dhe operimin e një ueb-faqeje dhe treg të paligjshëm ku kriminelët kibernetikë mund të blinin, shisnin apo këmbenin informacione të vjedhura personale dhe të kishin qasje në pajisje dhe mjete të tjera për të kryer veprimtaritë e paligjshme kibernetike dhe mashtrim, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Kutleshi e pranoi fajësinë në Gjykatën e Qarkut Perëndimor të Pensilvanisë për vjedhje të rëndë të identitetit dhe komplot për pastrim parash.

Ai pritet të dënohet më 9 shkurt 2027 dhe përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vjetësh burgim për akuzën e vjedhjes së rëndë të identitetit dhe një dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për akuzën e komplotit për pastrim parash. Një gjykatës federal i këtij qarku pritet ta përcaktojë dënimin ndaj tij, duke marrë për bazë ligjet amerikane për këtë çështje, shkruan REL.

Ueb-faqja e krijuar, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, quhej Rydox. Domenin e kësaj ueb-faqeje SHBA-ja e ka konfiskuar në dhjetor të vitit 2024.

“Pranimi i fajësisë nga Ardit Kutleshi për operimin e Rydox-it vë në pah skemën e sofistikuar për përfitim nga identitetet e vjedhura dhe mjetet kibernetike”, tha ndihmësprokurori i Përgjithshëm, A. Tysen Duva nga Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë.

Sipas ndihmësprokurorit, pranimi i fajësisë nga Kutleshi dërgon mesazh të fuqishëm te të gjithë “kriminelët kibernetikë se Departamenti i Drejtësisë do t’i identifikojë, arrestojë dhe ndjek penalisht ata pavarësisht se në cilën pjesë të botës gjenden, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ekspertizës teknike dhe teknologjisë së avancuar për zbatimin e ligjit”.

Ardit Kutleshi, së bashku me vëllain e tij, Jetmirin, me kërkesën e SHBA-së ishin arrestuar nga autoritetet e Kosovës në dhjetor të vitit 2024 dhe ishin ekstraduar në prill të vitit 2025 në SHBA.

Jetmir, që po ashtu ka pranuar fajësinë dhe është dënuar në dhjetor të vitit 2025 para se “të dëbohej mbrapsht në Kosovë” dhe Ardit Kutleshi, sipas Departamentit të Drejtësisë kishin operuar faqen Rydox për përfitime personale, duke arkëtuar “qindra mijëra dollarë nga tregu ku kriminelët kibernetikë mund të blinin informacione dhe mjete për të kryer krimet e tyre online”, tha Prokurori amerikan, Tory Rivetti nga Qarku Perëndimor i Pensilvanisë.

Këto krime kibernetike, sipas tij, nuk kanë shkaktuar vetëm humbje financiare, por edhe trauma psikologjike për viktimat që kanë humbur edhe para, por edhe “besimin në institucionet dhe infrastrukturën e tregjeve online”.

“Rydox u shiti kriminelëve mjete dhe të dhëna të ndjeshme, përfshirë identitete të vjedhur dhe fjalëkalime të mijëra personave”, theksoi ndihmësdrejtori i divizionit kibernetik të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Brett Leatherman.

Ai shtoi se FBI-ja dhe partnerët e huaj e kanë mbyllur këtë treg të paligjshëm online të krijuar nga Kutleshi.

Sipas dokumenteve gjyqësore, që prej të paktën vitit 2016, Rydox kishte kryer mbi 7.600 transaksione që përfshinin të dhëna personale identifikuese (PII) të vjedhura, pajisje të vjedhura për qasje, mjete identifikimi, si dhe mjete dhe shërbime për krime kibernetike, duke gjeneruar të paktën 232.000 dollarë të ardhura.

Këto transaksione, sipas dokumenteve të drejtësisë amerikane, përfshinin shitjen e të dhënave personale të vjedhura personale nga viktima që gjendeshin në SHBA.

Ky rast është hetuar nga FBI-ja në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, Policinë e Kosovës, Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit të Shqipërisë (SPAK) dhe me Policinë dhe Zyrën e Prokurorit të Malajzisë.

DTV MEDIA

Televizioni DTV është një medium i pavarur që shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përmes platformave kabllore televizive, si dhe në Evropë, Amerikë dhe vendet e tjera të Botës përmes IPTV-ve.
Lëxo më shumë

KATEGORITË

  • Botë (1 736)
  • Konkurs (3)
  • Lajme (27 750)
  • Opinione (56)
  • Showbiz (191)
  • Sport (449)
  • TV (94)
  • Zgjedhjet 2025 (1 095)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com