Xhudistja e re shqiptare, Sidorela Dodaj, ka bërë një paraqitje mbresëlënëse në Kampionatin Evropian për Kadet, i cili u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, duke u renditur në vendin e pestë në kategorinë e saj.
Në rrugëtimin e saj drejt gjysmëfinales, Sidorela mposhti tre kundërshtare të forta, fillimisht vendasen Tamara Ilioska, më pas Aysun Mammadova nga Azerbajxhani dhe Vivien Vadovicova nga Sllovakia.
Në gjysmëfinale, ajo u përball me Valeriia Kozlova (IJF), ndërsa në ndeshjen për medaljen e bronztë u ndal nga italiania Giulia Bonzano.
“Sidorela u ndesh me guxim duke u përballur me disa prej talenteve më të mëdha të Evropës. Ajo dëshmoi se është një emër premtues në arenën ndërkombëtare të xhudos.
Sa i përket garuesve të tjerë, Blerina Gashi, Enise Zijade, Riad Kasapi, Milot Gashi, Agron Hamza dhe Reis Deliu, këtë herë nuk ishin në formën e tyre më të mirë dhe nuk arritën të sigurojnë fitore në këtë edicion të kampionatit”, shkruhet tutje në njoftimin e Federatës së Xhudos në Kosovë./