Një grabitje e armatosur ka ndodhur të shtunën pasdite në fshatin Zym të Prizrenit, ku dy persona janë sulmuar nga persona të panjohur derisa po udhëtonin me veturë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 16:15, kur viktimat kanë hasur në pengesa me gurë të vendosura në rrugë.
Pasi janë ndalur dhe kanë dalë nga vetura për t’i larguar ato, dyshohet se janë përballur me dy persona të armatosur me armë të tipit AK-47.
Nën kërcënimin e armëve, të dyshuarit u kanë grabitur një shumë parash dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Gjatë ikjes, ata kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një zone pyjore.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë dhe kanë gjetur e konfiskuar një gëzhojë të fishekut.
Lidhur me rastin janë intervistuar dy të dyshuar meshkuj kosovar të cilëve u janë sekuestruar dy telefona dhe pas intervistimit në mungesë të provave lidhur me rastin me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullte. Rasti është duke u hetuar”, thotë PK
