Të dielën mbrëma, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, u është drejtuar qytetarëve me një mesazh për bashkim dhe mobilizim në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit.
Latifi falënderoi qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se do të jetë çdo ditë pranë tyre për të dëgjuar shqetësimet, për të dhënë sqarime dhe për të prezantuar programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme.
“Le t’u japim frymë qytetarie dhe kulture ditëve të mbetura të fushatës, duke biseduar për të ardhmen tonë pa ngarkesa e pa paragjykime,” – tha Latifi, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në tubimet elektorale të AAK-së.
Ai njoftoi se takimi i radhës do të mbahet sonte në Krushë të Madhe, në Shtëpinë e Kulturës “Muhamet Malësori”, në orën 19:00, ku do të prezantohet programi qeverisës i AAK-së për Rahovecin.
Në fund, Latifi kërkoi angazhim të përbashkët për fitore dhe për zbatimin e projekteve që, siç tha ai, “do të përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Rahovecit”.
