Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, ka ndarë sot Mirënjohjen për Humanizëm (Post Mortem) për Sulejman Çantën, një veprimtar, humanist dhe patriot të dalluar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë.
Në fjalën e tij, Latifi theksoi se Sulejman Çanta ishte ndër ata burra të rrallë që i bashkoi njerëzit në kohët më të vështira, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në aksionin për pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive në Kosovë. Ai ishte njeri i paqes, i dashurisë për atdheun dhe i përkushtuar për unitetin kombëtar.
“Sulejman Çanta mbetet shembull frymëzues për brezat që vijnë – për humanizmin, guximin dhe dashurinë e tij ndaj njerëzve e atdheut,” – u shpreh Smajl Latifi.
Latifi falënderoi të birin e tij, Bashkim Çanta, dhe familjarët, për pritjen dhe për pranimin e kësaj mirënjohjeje të merituar për humanistin e madh Sulejman Çanta.