Kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, bashkë me familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues të OVL-UÇK-së dhe bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe në nderim të heronjve Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, në 27-vjetorin e rënies së tyre heroike.
“Me shpirt të pathyeshëm e armë në dorë, trimat tanë iu vunë përballë armikut të egër, të bindur se liria është thesari që duhet mbrojtur me çdo çmim. Dhe ia arritën, e sollën lirinë e u përjetësuan në altarin e heronjve e dëshmorëve”, ka thënë Latifi.
Pas homazheve te shtatorja e Tonit dhe Micit, u zhvilluan nderime te varrezat e dëshmorëve, ndërsa më pas u mbajt një tubim përkujtimor te Kulla e Heronjve. Latifi theksoi se çdo përkujtim është një rikujtim i amanetit dhe përgjegjësisë për ta ruajtur lirinë me dinjitet.
“Lavdi të përjetshme heronjve e dëshmorëve që u flijuan për lirinë tonë!”, përfundoi ai.
