Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar lidhur me mosvotimin e buxhetit komunal për vitin 2026, duke e cilësuar këtë veprim si një lojë të pastër fushate.
Latifi tha se refuzimi për ta votuar buxhetin, pa arsye të forta, pa kritika konkrete dhe pa propozime për ndryshime në kodet buxhetore, tregon qartë synimet elektorale të kundërshtarëve në këtë periudhë zgjedhore.
“Buxheti i Komunës është buxhet i qytetarëve të Rahovecit, i hartuar dhe operacionalizuar për të adresuar kërkesat dhe nevojat e tyre. Le ta bëjmë fushatën jashtë institucioneve, sepse asnjë përfitim elektoral nuk do të vjelë askush nga kjo strategji, përveç dëmeve që mund t’ia shkaktojmë komunës e qytetarëve,” u shpreh Latifi.
Ai theksoi se institucionet komunale duhet të jenë mbi kalkulimet politike dhe se qytetarët e Rahovecit meritojnë stabilitet dhe zhvillim, jo pengesa artificiale për qëllime zgjedhore.
