Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka zhvilluar një takim frytdhënës me të rinjtë e Qendrës Rinore “SHL Kosova” dhe me gratë e Shoqatës së Pavarur të Gruas “Hareja”.
Gjatë diskutimit, Latifi theksoi se të rinjtë dhe gratë janë dy kategori ku qëndron potenciali më i madh inovativ dhe transformues, ndaj, siç tha ai, institucionet duhet t’i ndihmojnë dhe t’u krijojnë mundësi reale për përfshirje në punë dhe shërbim ndaj komunitetit.
“Komuna e Rahovecit në vazhdimësi ka mbështetur fuqishëm të rinjtë, nxënësit dhe gratë përmes programeve që nxisin zhvillimin personal, profesional dhe ekonomik – nga trajnimi e arsimi, deri te përkrahja e nismave për vetëpunësim dhe përfshirje aktive në jetën shoqërore”, theksoi Latifi.
Takimi u vlerësua si një hap tjetër në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe shoqërisë civile, duke synuar krijimin e më shumë mundësive për zhvillim dhe mirëqenie në komunën e Rahovecit.
