Kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, ka zhvilluar një takim të ngrohtë me përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Rahovec (KBI), institucion ky që luan rol të rëndësishëm në forcimin e unitetit, promovimin e vlerave fetare, kulturore dhe harmonisë ndërfetare në komunë.
I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Latifi u prit nga Kryetari i KBI-së, Efendi Shani Sylka, dhe Kryeimami Nusret Abazibra, me të cilët zhvilloi një diskutim të frytshëm mbi rëndësinë e trashëgimisë dhe vlerave fetare në jetën e komunitetit.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes institucioneve dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e tij, me qëllim që KBI-ja të vazhdojë të luajë rol aktiv në adresimin e sfidave shoqërore dhe edukative në Rahovec.
Latifi theksoi përkushtimin për të ruajtur dhe forcuar këtë marrëdhënie, në dobi të qytetarëve dhe komunitetit të gjerë.
“Faleminderit Efendi Shani Sylkës, Kryeimam Nusret Abazibrës dhe përfaqësuesve të tjerë të KBI-së për mikpritjen e përzemërt dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm!”, – u shpreh Smajl Latifi.