I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti është biseduar rreth mënyrës se si mund të ecet përpara me procesin e dialogut,, raporton Ekonomia Online.
Ai këtë zhvillim e ka quajtur “fillim i mirë”.
Në një adresim të shkurtër për media pas takimit me Kurtin, Sorensen ka deklaruar se procesi i dialogut ka sjellë me vete shumë zhvillime në të cilat duhet punuar.
“Kemi pasur një bisedë rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara, kështu që është një fillim i mirë. Qëllimi, sigurisht, është që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara”, ka thënë Sorensen.
Ai tha se do të shkojë edhe në Beograd dhe sapo t’i zhvillojë bisedat e para me liderët, do të ulet dhe “të vlerësoj ku jemi”.
Sorensen tha se zgjodhi të vijë në Kosovë sa më shpejt, ndërsa i pyetur edhe lidhur me mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, tha se duhet punuar “për t’u siguruar që njerëzit t’i marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme”. “Dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, shtoi ai.
Diplomati danez tha se “u takon palëve ta përcaktojnë” nëse nevojitem kompromise apo jo, por shtoi se “dialogu është pikërisht për këtë dhe këtë e kemi bërë që nga viti 2011”.

