Sot, prej orës 13:00, Strasburgu pritet të shndërrohet në epiqendër të zërit shqiptar, teksa pritet të mbahet protesta e radhës në kërkim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Ushtri Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mabahen në Hagë.
Organizatorët ftuan të gjithë shqiptarët që t’i bashkohen kësaj proteste: “Ftohen të gjithë shqiptarët që të bashkohen me ne në Strasburg, më 16 nëntor, ora 13:00, pranë selisë së Këshillit të Evropës, aty ku nisi padrejtësia ndaj UÇK-së dhe Kosovës,” thuhej në thirrjen e fundit të Organizatës së Veteranëve.
Protesta në Strasburg vjen pas atyre madhështore në Prishtinë, Tiranë dhe Hagë, ku mijëra shqiptarë nga mbarë bota shpalosën kërkesën e njëzëshme për drejtësi nga Gjykata Speciale, e cila po gjykon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 17 tetor, Tiranën ishte mikpritëse e një proteste të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrje masive të qytetarëve nga e gjithë bota.
Përkrahja për protestën e sotme është shprehur fuqishëm edhe nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili e cilësoi protestën si ngritje kundër një padrejtësie të rëndë historike që po i bëhet UÇK-së dhe popullit shqiptar.
Ahmeti tha se sot, mendjet dhe zemrat e shqiptarëve janë të përqendruara te bashkëkombasit që do të marshojnë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pikërisht aty ku, siç shprehet ai, “filloi padrejtësia e madhe”.
“Sot me mendje e me zemër jam pranë bashkëkombasve që do të protestojnë në Strasburg, aty ku filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Kjo gjykatë nuk po gjykon mbi atë për të cilën u themelua, por po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia.
Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të 🇺🇸dhe 🇪🇺 dhe vendin e kanë në Kosovë 🇽🇰.
Pafajësia e tyre u konfirmua nga miqtë tanë amerikan e europian në Hagë, prandaj, lironi djemtë tanë!
Padrejtësia duhet të merr fund menjëherë, i gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare.”
Ndërkohë, procesi në Hagë ka hyrë në një fazë vendimtare. Pas dëshmive të ish-zyrtarëve të lartë amerikanë në javët e fundit, këtë javë pritet të fillojë dëshmia jashtëzakonisht e rëndësishme e gjeneralit Wesley Clark.
Ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, përballë një procesi tejet të rëndë, i cili po konsiderohet si padrejtësi historike ndaj luftës çlirimtare.
