Një grup studentësh çiklistë nga Serbia u takuan me deputetë të Parlamentit Evropian për t’i informuar drejtpërdrejt për brutalitetin dhe represionin e regjimit të Aleksandar Vuçiqit gjatë protestës së mbajtur më 15 mars në Beograd.
Studentët iu dorëzuan eurodeputetëve një letër ku përshkruan torturën fizike dhe psikologjike që përjetuan, duke theksuar se gjatë protestës paqësore ishte përdorur armë e ndaluar, një precedent i rrezikshëm dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Eurodeputetja franceze, sipas gazetarëve të pranishëm, u pa e tronditur nga informacionet që, siç duket, po i dëgjonte për herë të parë.
Deputetët evropianë premtuan se do të flasin në Parlamentin Evropian për kërkesat e studentëve, ndërsa eurodeputetja nga Sllovenia njoftoi se do të kërkojë personalisht takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke thënë se do të “trokasë në derën e saj”.
Studentët gjithashtu tërhoqën vëmendjen për korrupsionin e thellë, shtypjen e fjalës së lirë dhe mungesën e plotë të demokracisë në Serbi. Edhe pse deputetët theksuan se nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në çështje të brendshme politike, ata shprehën mbështetje për luftën e studentëve për vlera evropiane dhe të drejta themelore.
Në një akt simbolik, studentët dhuruan bilbilë me motive biçiklete dhe një dorë të përgjakur, duke i ftuar deputetët që “të bëjnë zhurmë” gjatë paraqitjes së tyre në Parlamentin Evropian. Tre eurodeputetët do të kenë gjithsej tre minuta – një minut secili – për të prezantuar rastin, dhe premtuan se do të bëjnë gjithçka që edhe kolegët e tjerë të interesohen për gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi.