Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi sot në Gjilan, ku tre qytetarë mbetën të vrarë nga tre të dyshuar që tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Sveçla shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe kritikoi institucionet e drejtësisë për trajtimin e rasteve të tilla, duke thënë se i dyshuari kryesor ishte arrestuar vitin e kaluar nga Policia për fajde, por ishte lënë i lirë.
Sipas tij, neglizhenca dhe tolerimi nga Prokuroria dhe gjyqësori kanë sjellë situatën e sotme.
“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri.
Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar ai në Facebook.