Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka vizituar sot vendin ku dyshohet të jetë arrestuar nga xhandarmëria serbe Milan Vukashinoviq.
Sveçla ka thënë se në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe dhe i njëjti pas plagëve të marra po trajtohet në spitalin e Nishit.
“Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”, ka shkruar ai në Facebook.
Sveçla ka theksuar se institucionet e Kosovës po vazhdojnë hetimet intensive në zbulimin e gjithë rastit dhe akterëve, dhe në momentin e parë do të sillen para përgjegjësisë, si dhe do të merren masa për t’iu kundërvënë sjelljeve kriminale e destruktive të Serbisë në raport me Kosovën.
“Apeloj te bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin dhe ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese, por edhe të parandalojë situata të tjera të cilat do të rritin tensione në rajon”.
Milan Vukashinoviq, një serb nga Leposaviqi, dyshohet se është plagosur dhe më pas, gjatë fundjavës, është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në veri. Informacioni rreth plagosjes së Vukashinoviq u publikua në rrjetin X nga avokati Ivan Niniq.
Vukashinoviq u plagos nga të shtëna të shumta në shpinë, dhe siç thotë Niniq, njerëz të veshur me uniforma ushtarake, por pa shenja dalluese, në xhipe pa targa, dyshohet se ishin të përfshirë në kidnapim.
Avokati Niniq gjithashtu pyeti nëse dikush tjetër, përveç anëtarëve të ushtrisë serbe, mori pjesë në të shtënat, të cilat ndodhën të shtunën rreth orës 4 pasdite dhe ngjarjet që pasuan.
