Ish-Kryeministri dhe ish-Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, njëherësh deputet aktual, z. Talat Xhaferi, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Aleancën Kosovare të Bizneseve, ku u prit nga Kryetari i AKB-së, z. Agim Shahini, dhe anëtari i kryesisë, z. Shkëlzen Jusaj.
Gjatë takimit, palët zhvilluan një diskutim të hapur rreth mundësive për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me fokus në krijimin e kushteve më të favorshme për komunitetin e biznesit në të dy vendet.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të madh për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Roli i AKB-së si urë lidhëse mes komuniteteve të biznesit është i pazëvendësueshëm,” u shpreh z. Xhaferi.
Nga ana tjetër, Kryetari i AKB-së, z. Agim Shahini, nënvizoi angazhimin e organizatës që përmes partneriteteve rajonale të lehtësojë qarkullimin e mallrave, investimeve dhe ideve. “Qëllimi ynë është të krijojmë më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe punësim në të dy vendet,” tha ai.
Në përmbyllje të takimit, të dyja palët u dakorduan të intensifikojnë komunikimin dhe të ndërmarrin nisma konkrete për të mbështetur rritjen dhe konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun rajonal dhe më gjerë.