Kryeministri në detyrë Albin Kurti akuzoi deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai deklaratën e bëri pas pyetjeve të gazetarëve në përfundim të vënies së gurthemelit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.
“Kosova ka qeveri, e cila është qeveri në detyrë, dhe e cila i ka kompetencat e kufizuara me nenin 31 mbi Ligjin për Qeverinë. Ajo çfarë Kosova nuk ka, është Parlamenti. Unë çdo herë shkoj aty që ta konstituojmë Kuvendin, ata që vijnë por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vijnë. Për dijeninë time, ardhja në vazhdimin e seancës dhe bojkotimi i votimit politikisht është sjellje e papërgjegjshme, juridikisht është shkelje e Kushtetutës. Konstituimi i Kuvendit nuk është përgjegjësi vetëm e fituesit të zgjedhjeve, por e të gjithëve. Pasi ta konstituojmë Kuvendin, atëherë përgjegjësia ime do të jetë formimi i qeverisë së re. Deri në qeverinë e re, e kemi këtë qeveri në detyrë”, tha Kurti.
Ai u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, siç tha, që në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtat dhe obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim.
“Dhe meqë e provuam votimin e hapur, le të provojmë edhe votimin e fshehtë, sepse asisoj e parasheh edhe aktgjykimi i Kushtetutës nga viti 2014.
“Rruga për të dalë nga ajo që po quhet ngërç në mënyrë të popullarizuar është e qartë, vetëm se duhet vullnet për të ecur në atë rrugë. Ne e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por duhet ta kemi një herë atë”, tha Kurti.

