TikTok-u i riktheu shërbimet për 170 milionë përdoruesit e vet në Shtetet e Bashkuara të dielën, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, u zotua se do ta përdorë një urdhër ekzekutiv për ta pezulluar ndalesën federale ndaj platformës sapo ta marrë pushtetin të hënën.
Trumpi tha se do ta përdorë urdhrin ekzekutiv për t’i dhënë më shumë kohë aplikacionit të videove – i cili është në pronësi të ByteDance nga Kina – për ta gjetur një blerës të pranueshëm, para se ndalesa e urdhëruar nga Gjykata Supreme të zbatohet plotësisht.
TikTok i ndali shërbimet në SHBA dhe u zhduk nga tregjet e aplikacioneve të Apple dhe Google të dielën, disa orë para se të hynte në fuqi ligji që kërkon ndalimin e tij.
“Falë përpjekjeve të presidentit Trump, TikTok-u është rikthyer në SHBA”, njoftoi platforma pak orë pasi i kishte ndalur shërbimet.
TikTok-u tha se i ndali shërbimet për shkak të ligjit federal, i cili i kërkonte kompanisë që zotëron platformën, ByteDance, ta shiste TikTok-un në SHBA deri të dielën.
Pse u ndalua TikTok-u dhe çfarë mund të bëjë Trump për këtë?
Ligji që hyri në fuqi të dielën kërkoi që ByteDance t’i ndërpriste lidhjet me operacionet e TikTok-ut në SHBA, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare. Megjithatë, ai autorizoi presidentin e tanishëm t’i jepte afat prej 90 ditësh platformës, nëse ajo ishte në shitje e sipër.
Megjithëse investitorët bënë disa oferta, ByteDance ka deklaruar se nuk do ta shesë TikTok-un.
Trump tha se urdhri i tij do ta “zgjasë periudhën kohore para se të hyjë në fuqi ligji për ndalimin e tij”.
Nuk është e qartë se si do të rezultojë premtimi i Trumpit nga një këndvështrim ligjor, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së e mbështeti njëzëri ndalimin e TikTok-ut të premten dhe vendimi hyri në fuqi një ditë para rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Republikani Mike Gallagher, autori i ligjit, tha të dielën në Fox News se “nuk ka shtyrje” për TikTok-un.
“Po ju them si njeriu që e ka shkruar ligjin, shtyrja ishte brenda një periudhe 270-ditore, e cila u mbyll në orën 12:01 të mëngjesit sot [e diel]”, tha ai, duke shtuar se vetëm nëse presidenti certifikon se ekzistojnë “dokumente ligjërisht të detyrueshme” që tregojnë se shitja e tij është në proces, atëherë do të kishte shtyrje të ndalesës.