Tre peshq të rrallë të cilët quhen “peshqit e Ditës së Kijametit” janë gjetur në brigjet e Australisë dhe Zelandës së Re.
Shkencëtarët thonë se nuk ka asnjë provë që lidh shfaqjen e tyre me ndonjë fatkeqësi natyrore të afërt.
Andreë Stewart, kurator i peshqve në Muzeun e Zelandës së Re Te Papa Tongarewa, e përshkroi këtë peshk si “të bukur” dhe “të përtejbotshëm”, me ngjyrat e tij “blu-vjollcë, argjendi dhe të kuqe të thellë”.
Stewart tha se në Zelandën e Re ka rreth 20 raste të dokumentuara të shfaqjeve të këtyre peshqve të rrallë, sipas The Guardian.
Ai tha se këta peshq ndoshta janë burimi i legjendave për gjarpërinjtë detarë. Megjithatë, reputacioni i tyre si paralajmërues të fatkeqësive është i pabazë, pasi një studim i rishikuar nga kolegët në vitin 2019 nuk gjeti asnjë lidhje midis shfaqjes së oarfish dhe tërmeteve.
Profesor i asociuar Nick Ling, ekolog i peshqve nga Universiteti i Waikato-s, tha se shfaqjet e oarfish janë relativisht të rralla.
“Ata jetojnë në oqean të hapur, në thellësi të konsiderueshme, dhe njerëzit thjesht nuk i hasin. Prandaj janë pothuajse të pamundur për t’u studiuar.”
Oarfish, të konsideruar si peshqit më të gjatë me skelet kockor në botë, qëndrojnë vertikalisht në ujë dhe lëvizin duke valëzuar pendët anale dhe shpinore, tha ai.