Presidenti amerikan, Donald Trump, ka intensifikuar kritikat ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar këtë të fundit për qëndrim agresiv dhe veprime provokuese në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me situatën në Ukrainë.
Në një postim të fundit në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump ka reaguar ashpër duke e paralajmëruar Putinin për pasojat që mund të vijnë nga veprimet e tij ushtarake.
“Ajo që Vladimir Putini nuk e kupton është se po të mos isha unë, shumë gjëra vërtet të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë, dhe e kam fjalën për gjëra vërtet të këqija,” ka deklaruar Trump, duke lënë të kuptohet se prania e tij në politikën ndërkombëtare ka ndihmuar në shmangien e një përshkallëzimi të madh të krizave.
Ai shtoi se udhëheqja e tij ka qenë vendimtare për të frenuar një përplasje më të madhe në rajon, duke akuzuar Putinin se “po luan me zjarrin” përmes qëndrimeve të tij agresive dhe lëvizjeve të fundit ushtarake në Ukrainë.
Kjo deklaratë vjen në një kohë të tensionuar për marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë, ku SHBA dhe aleatët e saj po monitorojnë nga afër veprimet e Moskës në Evropën Lindore.
