Pothuaj një javë më parë Presidenti USA Donald Trump, u ngjit triumfalisht në podiumin e West Point, ku dhe mbajti një fjalim të zjarrtë me moton: “Me krenari hyjnore dhe besim të çeliktë për Amerikën e Madhe”. Fjalimi i tij ishte një përzierje shakespiriane e Henry V: “Betejat janë të pashmangshme, por fitorja është e sigurt”, që ngriti peshë jo vetëm zemrat e kadetëve që diplomoheshin oficerë të ushtrisë së USA. Fjala e tij ishte e mbushur me anekdota motivuese dhe kritika ndaj administratave të kaluara, por edhe për rolin e ushtrisë në mbrojtjen e kufijve kombëtarë. Plot emocione dhe krenari, Trump iu drejtua kadetëve të West Point: “Ju jeni luftëtarët dhe fitimtarët e Amerikës së pakonkurrueshme dhe të pamposhtur”, – duke nënvizuar rolin kritik në modernizimin e fuqisë ushtarake të SHBA-ve. “Ju jeni gjenerata e Amerikës së Artë”. Fjalimin e filloi si një valë e ngadaltë, por që rrezatonte besim dhe fuqi në çdo fjali.
Me timbrin e tij të pazëvendësueshëm: “Një përzierje midis një tregtari të vjetër të Manhatanit dhe një strategu të luftës”, iu drejtua djemve dhe vajzave të ushtrisë së Amerikës si një baba/Mbret i moshuar që jep mësimet e fundit para se ata të nisen në betejën hyjnore: “Ju jeni fituesit. Çdo njëri nga ju është fitimtar. Nga sot ju bëheni pjesë e rrugës së lavdisë amerikane, rruga që ka përshkruar Eisenhower, Patton, Schwarzkoph etj.”! “Ju zgjodhët një jetë në shërbimi ndaj atdheut”. Ju mund të kishit shkuar në “Wall Street”, por zgjodhët çizmet dhe uniformat”, – duke shtuar se: “Ky është shërbimi më i lartë ndaj atdheut. Duajeni atë që keni zgjedhur të bëni. Nëse nuk e doni, nuk do të jeni të suksesshëmº. Ai vuri në dukje edhe sukseset akademike dhe të klasës 2025, duke evidentuar 26 studentë me arritje ekselente dhe 4 shkencëtarë të nivelit Rhodes. “Ushtria jonë është dhe do të mbetet më e fuqishmja në historinë e njerëzimit”. Presidenti Trump shprehu krenarinë për buxhetit ushtarak (1 trilion dollarë në 2025), më i madhi në historinë e SHBA. Ai vlerësoi se gjithsesi mbeten kritike investimet në teknologji, raketat hipersonike, dronët, inteligjencën artificiale, si dhe sistemet/ kupolën e mbrojtjes raketore (Golden Dome). “Raketat hipersonike? ne i shpikëm. Por na i vodhën. Dhe e dini kush? Rusët”.
Por pastaj, me një buzëqeshje fitimtare, shtoi: “Por tani, ne po i ndërtojmë ato përsëri. Dhe do të jenë më të shpejta, më vdekjeprurëse dhe më të pamposhtura”! “Ushtria nuk është për ‘show’ as për vallëzim, ajo është për të mposhtur armikun”. “Ushtria jonë nuk do të jetë kurrë një laborator ideologjik, pasi ajo ka për mision: të dominojë, të shkatërrojë, të fitojë”. Ai kritikoi ashpër administratën paraardhëse dhe ideologjitë që e largonin ushtrinë nga misioni i saj. “Kur humbet momentum-i, humbet gjithçka”. Trump solli në kujtesën e Kadetëve që lavdia është si një kalë i egër që duhet kapur për freri. “E dini historinë e Bill Levitt? Një herë ai ishte mbreti i ndërtimeve dhe gratgrataçielave. Por më vonë humbi gjithçka. Pse? Sepse humbi momentin, i cili është gjithçka, miqtë e mi. Mos e humbni kurrë atë”. Merrni përsipër rreziqe, të jeni krijues dhe të bëheni ndryshe, sepse historia nuk është shkruar asnjëherë nga të bindurit verbërisht ishte mesazhi i tij. “Ricky McMahon dhe unaza që lidh brezat”. Kulmi emocional ishte kur Trump iu drejtua Kadetit Ricky McMahon, i cili mbarte me vete një trashëgimi të rëndë lavdie: “Ju do të trashëgoni më tej kujtimin e atyre që ranë për Amerikën e madhe”, – i tha Presidenti Rickit. “Babai yt ra martir në Afganistan. Tani, unaza e klasës së tij është shkrirë bashkë me 87 të tjerat, për të formuar unazat tuaja. Kjo unazë nuk është thjesht metal. Ajo është kujtimi i atyre që ranë që ju të mund të qëndroni fort” …!. “Kurrë mos u dorëzoni. Kurrë mos u përkulni. Nëse bëni këtë, Amerika do të jetë më e fortë se kurrë”.
Kritikë ndaj politikave të kaluara. Trump i sheh kadetët jo si vetëm si ushtarë, por si fitimtare të një epoke që ai e quajti “Epoka e Artë”. Dhe me një gjest teatral, i ftoi ata të ngrinin dorën e djathtë dhe të betoheshin: “Kurrë mos u dorëzoni”, çka ishte një mesazh përmbyllës, betim dhe një urdhër Suprem në të njëjtën kohë. Episodi që ngjalli të qeshura, ishte një gjetje simbolike ndaj dështimeve njerëzore, një mesazh që edhe më të fortët shpesh dështojnë dhe kanë nevojë për një fillim të ri. “Secili e meriton një shans të dytë”, – tha ai. Si epilog, Trump e përdori West Pointin si skenë për të promovuar një vizion të fuqisë ushtarake duke kombinuar krenari kombëtare, si dhe duke përsëritur edhe më qartë: “Amerika e para, sepse do vijojë të ketë fuqinë ushtarake me të pakonkurrueshme dhe të pamposhtur”. Në përmbyllje, si një aktor që e di se si të largohet nga skena, Trump përfundoi me një shaka: “Tani po kthehem në Uashington për t’u marrë vesh me Rusinë dhe Kinën. Dhe e dini çfarë? Ne do t’ia dalim”! Pra, nuk ishte thjesht një adresim ceremonial.
Më poshtë edhe 5 mesazhet kryesore që mund të nxjerrim nga ky fjalim historik në West Point:
Mesazhi nr. 1: Ky fjalim mbart vizionin dhe vendosmërinë e SHBA-ve që Presidenti Trump do të konfirmojë në Samitin e NATOs, që do të zhvillohet në Hagë në 24-26 qershor: “NATO nuk do të jetë kurrë më një klub diplomatësh, por një fuqi e vdekjeprurëse për paqen, sigurinë dhe interesat euro-atlantike”, duke iu rikujtuar homologëve të 31 vendeve të NATO-s “qasjen e fortë” për peshën (burden sharing), si dhe presionin për të rritur buxhetin e mbrojtjes nga 2% në 3% të GDP apo edhe më shumë!
Mesazhi nr. 2: “Neo-Stalinistët, Kim-Jong, shtetet apo organizatat terroriste jo vetëm vijojnë të kërcënojnë sovranitetin e Ukrainës martire, paqen në Lindjen e Mesme, por edhe rendin global, kohezionin, kufijtë, vlerat demokratike, si dhe interesat dhe fuqinë e Aleancës Euroatlantike (SHBA/NATO/BE)”.
Mesazhi nr. 3: Paqja, stabiliteti demokratik, si dhe agjenda e integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten të kërcënuara jo vetëm për shkak të luftës neo-naziste në Ukrainë; jo vetëm për shkak të interesave të Moskës, por për shkak të demokracisë fasadë, politikanët dhe pushtetarët (Dodikët) e korruptuar, mungesa e kohezionit mes vendeve të BE dhe rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve në rajon.
Mesazhi nr. 4: Përfshi/përtej arsyeve të sipërpërmendura, edhe RSH ka nevojë kritike të modernizojë konceptin, strukturat, kapacitetet dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura. Por, rritja e buxhetit të mbrojtjes nga 2% në mbi 3% deri 2030 nuk është kurrsesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump, as për t’i bërë qoka-sulltanate familjes së tij”, por mbi gjitha, një domosdoshmëri për të modernizuar kapacitetet dhe fuqinë/eficiencën e institucioneve, agjencive të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në përmbushje të misionit kushtetues, pra: “për të mbrojtur integritetin territorial (neni 5), zhvilluar interesat gjeopolitike të RSH në rajon, si dhe për të ‘merituar me dinjitet karrigen’ në tavolinën e NATO-s”.
Mesazhi nr. 5: Reformat për modernizimin e Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare (SS&MbK) kanë domosdoshmëri jetike për gjithëpërfshirje, konsensus sa më të gjerë, harmonizimin demokratik të pushteteve kushtetuese, si dhe kohezionin e mbarë shqiptarëve ndaj interesave kombëtare.
Fatkeqësisht zgjedhjet e 11 majit, me 140 deputetët e emëruar në borderonë e Kuvendit, blinduan sulltanatin e kryetarëve të madhërishëm duke përdhosur pluralizmin, besimin te vota e qytetarëve, demokracinë, institucionet, balancat demokratike të pushteteve si dhe pshurrur Republikën Parlamentare. Nga ana tjetër e kombit, moszgjidhja e krizës politike, pra e kryetarit Kuvendit mbas 25 raundesh (?!), për shkak të këmbënguljes bolshevike dhe përdredhjes marksiste rreth një emri, e vendos në pikëpyetje kritike në mos qesharake stabilitetin demokratik, si dhe përpjekjet shtetformuese të Republikës së Kosovës. Gjithësi, në kapacitetin e angazhimeve për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe euroatlantike të RSH, ju bëj thirrje jo “kamikazëve të kryetarëve fuqiplotë”, por arsyes fisnike të faktorëve mendjehapur të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që: “Asnjë grosh nuk vlejnë as dalldisja bolshevike nga mbajtja për 16 vjet e pushtetit dhe as dëshpërimi demokrate/ëve nga humbja mëkatare e radhës”, por vetëm dashuria ndaj vendit, përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarë kombëtare, “besimi dhe bekimi” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n si dhe agjendën e integrimit në BE”!