Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta furnizojnë Ukrainën me armë përmes NATO-s dhe se ai do të lëshojë një “deklaratë të madhe” për Rusinë të hënën e ardhshme.
Në ditët e fundit, Trumpi ka shprehur zhgënjimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, për mungesën e përparimit drejt përfundimit të luftës, e cila nisi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurtin e vitit 2022, ka raportuar Reuters.
“Mendoj se do të kem një deklaratë të madhe për të bërë në lidhje me Rusinë të hënën”, është shprehur Trump për transmetuesin amerikan “NBC News”, duke refuzuar të ofrojë detaje të tjera.
Trumpi ka folur gjithashtu për atë që e kualifikoi si një marrëveshje të re mes SHBA-së, aleatëve të NATO-s dhe Ukrainës lidhur me dërgimin e armëve nga Shtetet e Bashkuara.
“Ne po i dërgojmë armë NATO-s, dhe NATO-ja po paguan për ato armë, 100%. Pra, ajo që po bëjmë është që armët po dërgohen në NATO, dhe më pas NATO-ja do t’ia japë ato armë Ukrainës, dhe NATO-ja po paguan për to”, ka thënë Trump.
Për herë të parë që nga rikthimi në detyrë, presidenti amerikan ka vendosur se do të dërgojë armë në drejtim të Kievit duke shfrytëzuar kompetencat presidenciale që ishin përdorur shpeshherë nga paraardhësi i tij, Joe Biden, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me çështjen.
Të martën, Trumpi kishte deklaruar se SHBA-ja do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë për ta ndihmuar vendin të mbrohet ndaj sulmeve dhe përparimeve gjithnjë e më intensive të Rusisë.
Sipas burimeve, paketa mund të përfshijë raketa mbrojtëse Patriot dhe raketa sulmuese me rreze të mesme veprimi, megjithatë ende nuk është marrë vendim përfundimtar mbi pajisjet e sakta. Njëri prej burimeve të Reutersit ka theksuar se vendimi pritet të merret gjatë një takimi të enjten.
Administrata Trump deri më tani ka dërguar vetëm armë të autorizuara nga ish-presidenti Joe Biden, i cili ishte mbështetës i palëkundur i Kievit.