Dy persona janë arrestuar në Isniq të Deçanit, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Operacioni është zhvilluar mëngjesin e së hënës nga Njësiti Antidrogë në Pejë, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar shtatë bimë narkotike të kultivuara, 28.6 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.
Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
