As në vazhdimin e sotëm të seancës së filluar qysh më 15 prill nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës.
Ishte përpjekja e nëntë me radhë për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.
Kësaj here, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë me “fletvotime fizike”.
Por ky propozim nuk u miratua. Vetëm 55 deputetë votuan për.
Më parë, reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, duke e quajtur propozimin që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, tallje me Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo në Kuvend”, tha Krasniqi.
Reagoi njëjtë edhe LDK-ja.
“Kjo është arbitrare, jokushtetuese. Nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve kushtetuese. Natyrisht, që do të dërgohet në Kushtetuese”, tha deputetja e LDK-së Hikmete Bajrami.
Edhe AAK-ja paraqiti qëndrim të njëjtë.
“Nuk bëhemi pjesë e cirkut tuaj”, tha deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.
Seanca konstituive do të vazhdojë për të dhjetën herë, më 3 maj, në orën 10:00, bëri të ditur kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari.
Seanca konstituive është obligim të mbahet çdo 48 orë pas ndërprerjes.
Murati-VV: Opozita po e bllokon procesin
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, pas seancës konstituive, duke e arsyetuar propozimin për votimin e fshehtë, fajësoi partitë opozitare për bllokim të procesit, ndërsa konfirmoi se nuk kanë ende asnjë marrëveshje me deputetët e tjerë, raporton Ekonomia Online..
”Ende pa e dëgjuar kandidatin, vendosën që të dalin kundër. Besoj që Glauk Konjufca do ta propozonte përsëri Albulena Haxhiun. Por ata refuzuan ende pa u propozuar kandidati.
Kryeministri Kurti ka ftuar dy partitë më të mëdha, sepse duhet gjetur një rrugë përpara. Kemi parë që LDK s’ka ardhur në takim, bile mezi s’kanë pritur të përgjigjen kundër, PDK-ja erdhi në takim, por përsëritën argumentin e tyre. Është neni 67 që flet për kryetarin dhe nënkryetarët. Dallimi i vetëm në Kushtetutë është hierarkia. Përgjigjja jonë është në kuadër të kësaj mënyre. Sa i përket asaj se pse ata e kundërshtuan votimin, flet më tepër për ata dhe mosbesimin që ata duan ta ushtrojnë mbi deputetët e tyre”, tha Murati.
Krasniqi-PDK: Për Kurtin më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se Kosova
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, pas vazhdimit të nëntë të seancës konstituive, u shpreh i shqetësuar me insistimin e Vetëvendosjes që Albulena Haxhiu të votohet për kryeparlamentare, raporton Ekonomia Online.
Ai shprehu keqardhje sesi u propozua votimi i fshehtë, kur ka vetëm një kandidat.
”Ata shkuan sot edhe bënë shkelje të hapur kushtetuese. Absolutisht e paligjshme dhe jokushtetuese. Po më vjen keq në çfarë pozite po e vendosin Avni Deharin. Veç po e përdorin.
Po më vjen keq se për Albin Kurtin më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se Kosova.
Është e turpshme, e pahijshme, është fyese për qytetarët që e kanë votuar. Ka kuptim votimi i fshehtë kur janë dy kandidatë, por në këtë situatë jo. Edhe këta janë duke e kuptuar që po bëhne bëhen horë. Nuk kalon Albulena Haxhiu, e di Kurti, secili deputet, secili votues i Albin Kurtit. Nëse nuk e dinë ua tregoj: Nuk kalon Albulena Haxhiu, pikë!”, tha Krasniqi.
Bajrami-LDK: S’mund të shkojmë në zgjedhje vetëm pse Albulena Haxhiu s’i ka votat për kryeparlamentare
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pas dështimit të nëntë për konstituim të Kuvendit të Kosovës, tha se nuk mund të shkojmë në zgjedhje dhe të shpenzojmë kohë vetëm pse Albulena Haxhiu nuk po mund t’i ketë votat për kryetare të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“E patë edhe një shkelje tjetër, u tentua që të ndryshohet mënyra e votimit. Kjo përcaktohet në fillim të procesit. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të ndryshohet procesi. Na vjen keq që institucionet nuk po konstituohen. Ju e patë që unë e thashë paraprakisht dhe këtyre iu dështoi edhe formimi i komisionit. LDK-ja është e prerë: ne nuk dëshirojmë që të kemi marrëveshje me Vetëvendosjen dhe për këtë nuk kemi marrë pjesë në takim. Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje dhe të shpenzojmë kohë vetëm pse Haxhiu nuk po mund që t’i ketë votat në Kuvend”, tha Bajrami.
Kadrijaj-AAK: Kosova po mbetet peng e Haxhiut
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka një tendencë që të bëjë një cirk Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se kjo parti duhej të siguronte 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe të ndryshojë emrin e Albulena Haxhiut për kandidate për kryetare të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Kosova po mbahet peng për një kandidat. AAK-ja ka dashur të bëjë zgjidhje dhe i ka propozuar dy emra, të cilët vetë VV-ja nuk i ka pranuar. Ata janë lidhur me një emër Albulena Haxhiun, e cila tentohet disa herë dhe nuk merr votat e mjaftueshme. Ishte dashur të tërhiqet dhe t’i jepet rrugë ndonjë kandidati që do të mund të merrte votat e deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Tash Kosova duhet të mbetet peng e Albulena Haxhiut”, tha Kadrijaj.
Limaj: Nuk marrim pjesë në votime ku ka shkelje
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se nuk marrin pjesë në votime ku ka shkelje. Ai foli pas dështimit të propozimit për votim të fshehtë.
“Jam për politikë racionale dhe për dialog. Jo për politika reaguese me mllef e motive të tjera”, tha Limaj.
