Edhe një person i dyshuar për përfshirje në grupin e dyshuar të trafikut të kokainës, i goditur në një aksion policor të shtunën, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
I dyshuari i shtatë për këtë rast është arrestuar të martën, njoftoi Policia e Kosovës.
Arrestimit i ka paraprirë një bastisje dhe sekuestrim i tri veturave, sipas raportit 24-orësh të policisë.
“Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin me 17.11.2026 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar, si dhe janë sekuestruar tri vetura”, tha policia.
I dyshuari, pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje, bëri të ditur policia.
Policia e Kosovës arrestoi gjashtë të dyshuar për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe trafik të drogës të shtunën. Njëri prej të dyshuarve u lirua në procedurë të rregullt, njoftoi policia të dielën.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, i cili dyshohet për dy vepra penale: pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Të ndaluarit e tjerë janë Jeton Stanovci, Alban Maloku, Gëzim Feka dhe Albana Xhemajli. Pesë të ndaluarit janë dërguar në paraburgim me vendim të Gjykatës të hënën.




















