Gjatë dy javëve të fundit, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka pranuar materiale dhe dëshmi personale, që kontribuojnë ndjeshëm në ruajtjen dhe dokumentimin e përvojave të luftës në Kosovë.
IKKL-ja njofton se dëshmitë e materialet janë mbledhur nga disa persona.
Nafis Lokvica, fotograf dhe kameraman, ka dorëzuar materiale të digjitalizuara nga arkivi i tij personal, të ruajtura më parë në Arkivin e Kinemasë së Prizrenit.
Halim Hyseni, pedagog, ka dhuruar katër libra, mes tyre edhe vepra të autorëve të huaj, që përfshijnë rrëfime dhe analiza nga periudha të ndryshme të jetës arsimore dhe shoqërore në Kosovë.
Besim Bislimi ka ndarë fotografi që dokumentojnë përjetimet e tij personale dhe dhunën e ushtruar ndaj tij gjatë luftës.
Shaip Kamberi nga Presheva ka dorëzuar materiale arkivore dhe fotografi të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, që dëshmojnë realitetin e vështirë të komunitetit shqiptar para, gjatë dhe pas luftës.
Ibrahim Hyseni, bibliotekist nga fshati Llashticë (Gjilan), ka dorëzuar dy libra që dokumentojnë masakrën në Llashticë dhe përjetimet e atyre që u prekën nga ajo ngjarje.
Bekim Ibishi, mësues nga Llashtica, ka dhënë intervistë ku ndan dëshmi personale si dëshmitar okular i ngjarjeve të luftës në fshatin e tij, me mbështetjen e kryetarit të fshatit, Naser Ibishi.
Hidajete Beqiri Gllareva ka nënshkruar marrëveshje me IKKL-në për dorëzimin e fotografive dhe materialeve të mbledhura, duke ndihmuar në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Shukrije Rama, autore, ka dorëzuar librin “Mos paç fatin tim”, i cili përmban rrëfime personale dhe të mbijetuarave të luftës, që ndriçojnë përjetimet e tyre gjatë asaj periudhe.
Besnik Rustemi ka ndarë dëshminë e tij personale për dëbimin nga fshati Slivov dhe përjetimet e familjes gjatë luftës, veçanërisht rrethanat e vështira që kanë përjetuar.
Është nënshkruar gjithashtu procesverbali me Arkivin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për pranimin e materialeve arkivore të rëndësishme për dokumentim.
Gëzim Olluri nga Lipjani ka dorëzuar librin “Kulturocidi serb në Kosovë 1990–1999”, duke vënë në pah dëmet ndaj trashëgimisë kulturore.
Hasan Preteni nga Mitrovica, ish-komandant i batalionit të brigadës 141, ka dhënë materiale, dokumente, fotografi dhe pjesë nga ditari personal që reflektojnë përvojat dhe zhvillimet gjatë luftës.
IKKL-ja shpreh mirënjohje për secilin prej kontribuesve, duke vlerësuar gatishmërinë e tyre për të ndarë materiale dhe dëshmi që ndihmojnë në ruajtjen dhe dokumentimin e kujtesës së Kosovës./RTK/