Bilall Kqiku, i kërkuar në lidhje me një rast të vrasjes së rëndë që ndodhi më 26 mars 2024 në rrugën “Butrinti” në lagjen Kolovicë të Prishtinës, ka ndërruar jetë.
Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 10 korrik, pasi ishte lokalizuar në një banesë në Prishtinë.
Sipas Policisë, në momentin e ndërhyrjes për arrestim, Kqiku kishte tentuar të arratisej duke u hedhur nga kati i katërt i objektit ku po fshihej.
Nga kjo tentativë, ai pësoi lëndime të rënda trupore.
Pas incidentit, ai ishte dërguar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku qëndronte nën trajtim mjekësor dhe mbikëqyrje policore.
Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente për të sqaruar të gjitha rrethanat.
Në banesën e tij ishin gjetur dhe sekuestruar një sasi prej gjashtë kilogramë e 172.6 gramë substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë, 38.3 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 0.9 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit tusi, 0.4 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit ekstazi, një peshore digjitale, një karikator, një këllëf i armës, 1000 euro, 20 franga, 110 denarë të Maqedonisë së Veriut, dhe 50 dinarë serb.