Në 19-vjetorin e vdekjes së Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, Presidenca ka ekspozuar veturën e tij “Chevrolet” në sheshin që mban emrin e tij, e pranë shtatores. Kjo veturë i ishte nënshtruar fillimisht një riparimi. Por, sa kishte kushtuar restaurimi dhe cilat janë ndërhyrjet që janë bërë në të?
Vetura e famshme “Chevrolet” e Presidentit Ibrahim Rugova, është ekspozuar sot për qytetarët në sheshin “Ibrahim Rugova”, pas restaurimit që i është bërë.
Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar fotografi të kësaj veture, teksa ka thënë se kjo veturë që sfidoi vdekjen, duke aluduar për atentatin që ishte bërë ndaj presidentit në vitin 2005 derisa ndodhej në këtë veturë, dëshmon përjetësinë e tij.
“Tanimë e restauruar nga Presidenca, vetura që sfidoi vdekjen, sot dëshmon përjetësinë e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova”, ka shkruar Osmani.
Tenderi për restaurimin e saj, është dhënë vitin e kaluar. Kontrata ishte nënshkruar në maj, për riparim dhe përgatitje teknike të automjetit historik “Chevrolet” për aktivitete ceremoniale. Vlera e saj ishte 16 mijë e 756 euro, me kohëzgjatje 12 muaj.
Me kontratë për t’i kryer riparimet e nevojshme, ishte shpërblyer Ymer Mariqi.
Me këtë tender parashihej: servisi i përgjithshëm (Vaj, filtera antifriz), ndërrimi i vajit të frenave, mbushja e klimës dhe servisimi i sistemit të klimës, gypi degëzues i termostatit dhe motorit, ndërrimi i baterisë kryesore 12 V, servisimi i ndërruesit të shpejtësive, kandelat e motorit, poqat e pozicionit, nyjet e derës para, xhami i parë (shofershajbnja), ndërprerësit e xhamave para, xhami i pasqyrës, mbrojtësit e rrotave pas, rregullimi i mbylljes qendrore, dritat e dyerve 4, dritat hallogen, riparimi i enterierit të brendshëm, modifikimi i mekanizmit të ulëseve dhe ndarja në mes pjesa e brendshme, pastrimi, përgatitja riparimi i dyshemesë pjesa e poshtme, riparimi i krahut para, riparimi i derës së djathtë para, riparimi i pjesëve të bagazhit, ndërrimi i mbrojtësit pas dhe lyerja totale e veturës dhe polirimi me qeramikë.
Një tender për riparimin e kësaj veture ishte shpallur fillimisht në fund të vitit 2023, mirëpo ishte anuluar. Vlera e parashikuar për atë tender kishte qenë 9 mijë e 900 euro, mirëpo Presidenca ishte detyruar ta anulojë meqë nuk kishte pasur asnjë ofertë.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës anulon “Riparimi dhe përgaditja teknike e automjetit historik Chevrolet për aktivitete ceremoniale” të aktivitetit të prokurimit për arsye që nuk ka oferta”, thuhej në vendim.
Ndryshe, Rugova kishte shërbyer si president i parë i Kosovës dhe ishte lider i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe njihet për rolin e tij në lëvizjen paqësore për pavarësinë e Kosovës nga Serbia gjatë viteve ’90.
Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare.