Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe mënyrën se si, sipas tij, ka ndryshuar raporti i qytetarëve me politikën dhe procesin zgjedhor.
Duke folur në emisionin “FORUM” në DTV Media, ku u diskutuan zhvillimet aktuale politike me pjesëmarrjen e Valdete Dakës, Dukagjin Goranit dhe Jeton Zogjanit, Ymeri tha se mënyra e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, ka ndikuar në pasivizimin e qytetarëve.
“Qysh ka qeverisë LVV-ja, ka pasë një qëllim fundamental, pasivizimin e qytetarëve. Pra, kur votojmë, nuk votojmë për një jetë më të mirë, por për preferenca grupore, jo politike”, tha Ymeri.
Ai u shpreh se kjo mënyrë e raportimit me politikën ka krijuar, sipas tij, një ndarje të realiteteve brenda shoqërisë kosovare.
“Dhe në një farë mënyre, kjo ka krijuar dy realitete në Kosovë”, deklaroi Ymeri.
Ymeri tha gjithashtu se qytetarët sot votojnë më shumë në bazë të preferencave të tyre, duke e lidhur këtë me mënyrën se si është transformuar komunikimi politik dhe raporti mes qytetarit dhe partive.
Deklaratat e Ymerit u bënë në kuadër të një diskutimi më të gjerë në “FORUM”, ku panelistët trajtuan situatën aktuale politike në Kosovë, institucionet, zgjedhjet dhe raportin e partive politike me qytetarët.
