Analisti politik Visar Ymeri, në emisionin “FORUM” në DTV Media, ka komentuar mundësinë e një marrëveshjeje politike mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas zhvillimeve të fundit politike dhe verdiktit në Hagë.
Ymeri ka thënë se një bashkëpunim mes dy subjekteve politike do të mund të kishte ndikim pozitiv, nëse pas tij qëndron një plan konkret për mënyrën se si Kosova do të përballet me pasojat e verdiktit në Hagë.
“Nëse PDK e VV kanë një plan të vërtetë, atëherë marrëveshja mes tyre do të ishte pozitive”, ka deklaruar Ymeri.
Sipas tij, çështja kryesore nuk është vetëm arritja e një marrëveshjeje politike, por qëllimi dhe përmbajtja e saj, veçanërisht në raport me zhvillimet që lidhen me procesin në Hagë.
Ymeri ka theksuar se institucionet e Kosovës mund të ndërmarrin hapa që, sipas tij, mund të ndihmojnë procesin dhe të kontribuojnë në zhvillimet që lidhen me çështjen në Hagë.
“Ky bashkim do të ishte pozitiv nëse ka një plan të ballafaqimit me verdiktin në Hagë”, është shprehur Ymeri në “FORUM”.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur në skenën politike po diskutohet mundësia e një bashkëpunimi mes PDK-së dhe VV-së dhe mënyra se si institucionet e Kosovës mund t’i përgjigjen zhvillimeve të fundit.
