Dëmtimi i burimeve energjetike në Lindjen e Mesme mund të ketë një ndikim afatgjatë në furnizimet globale me naftë, paralajmëroi grupi OPEC+, duke theksuar se pasojat nuk do të zhduken as pas një përfundimi të mundshëm të konfliktit me Iranin.
OPEC+ është Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese.
Pavarësisht vlerësimeve të tilla, në mbledhjen e organizatës u miratua një rritje simbolike e kuotave të prodhimit për muajin e ardhshëm.
Pas një takimi të dielën, komiteti mbikëqyrës i OPEC+ theksoi se rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar është një proces kompleks, i kushtueshëm dhe që kërkon kohë. Ky është një prej faktorëve kyç që çmimet nuk pritet të ulen menjëherë pas mbarimit të luftës.
OPEC+ gjithashtu theksoi se çdo ndërprerje, qoftë përmes sulmeve ndaj objekteve apo ndërprerjeve të rrugëve të eksportit, destabilizon më tej tregun dhe e bën më të vështirë ruajtjen e ekuilibrit.
Përpara se të shpërthente konflikti, anëtarët e OPEC-ut dhe partnerët e tyre kishin filluar një rritje graduale të prodhimit, i cili ishte zvogëluar që nga viti 2023.
