Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e mbajtur të enjten miratoi një sërë vendimesh, përfshirë draft- vendimin për vlerësimin e performancës së anëtarëve të Këshillit si dhe themelimin e komisioneve përkatëse, raporton Ekonomia Online.
Drita Rexhaj, kryetare e Komisionit për draftimin e këtij vendimi, theksoi rëndësinë e këtij procesi për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës brenda KGJK-së.
“Është e domosdoshme, sidomos në periudhën e rekrutimeve dhe vlerësimin e performancës dhe të anëtarëve të KGJK-së, duke përfshirë kryesuesin, zëvendëskryesuesin, kryetarët e komisioneve permanente dhe të gjithë anëtarët. Edhe si komision, kemi ardhur në konkludim që duhet të kemi një vendim, i cili përmban vlerësimin e performancës së krejt kategorive të anëtarëve të KGJK-së. Për periudhën e vlerësimit të performancës po ashtu përmban burimet e informacionit, kriteret e këtij vendimi i bashkëngjiten edhe formularët, në të cilët janë të përcaktuar qartë kriteret e vlerësimit të performancës, duke përfshirë edhe poentimin. Edhe shkallët e vlerësimit edhe kriteret janë në një linjë harmonike edhe me vlerësimin e performancës gjyqtarëve në sistemin gjyqësor”, tha ajo.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, vlerësoi se ky vendim është në përputhje me standardet evropiane dhe hap i domosdoshëm për përmirësimin e funksionimit të institucionit.
“Është rekomandim edhe i standardeve të Këshillit të Evropës. Mendoj që është zgjidhja e duhur. Propozimet dhe opsionet janë dhënë në vlerësimin për secilin anëtar”, tha ai.
Në këtë mbledhje u miratua edhe draft Kodi i sjelljes dhe etikës Profesionale për nëpunësit në administratën e sistemit gjyqësor. Kryetarja e Komisionit për hartimin e këtij kodi, Drita Rexhaj, theksoi se ky dokument përcakton qartë normat e sjelljes etike dhe profesionale të stafit administrativ.
“Është një dokument që përbën rregulla të detajuara, objektiva që kanë për qëllim të përcaktojnë rregullat e etikës së nëpunësve në administratën e sistemit gjyqësor me qëllim për të ruajtur dinjitetin dhe imazhin e sistemit gjyqësor, duke rritur edhe besimin e qytetarëve në punën e gjyqësorit. Dispozitat e këtij kodi janë të detyrueshme për gjithë nëpunësit në administratën e sistemit gjyqësor”, tha ajo.
Ndërsa, kryesuesi i KGHK-së, Zogaj e cilësoi këtë si një reformë të nevojshme për fuqizimin e integritetit në administratën gjyqësore.
“E kisha quajtur reformë në administratën gjyqësore. Ka rëndësi për shkak se ne, përveç që kemi një numër të madh të punësuarve në administratë, kemi po ashtu një numër të zyrtarëve të rinj që janë bërë pjesë e administratës dhe që realisht nuk kanë marrë njohuri të duhura për mirësjelljen në administratën gjyqësore. Shpresoj që ky kod do t’i kontribuojë rritjes së integritetit dhe sjelljes gjyqësore në përgjithësi dhe përgjegjësisë dhe efikasitetit në gjykata”, tha ai.
Po ashtu, KGJK-ja miratoi edhe draft- Rregulloren Nr.02/2025 për arkivat në sistemin gjyqësor, draft- Udhëzimin administrativ Nr.02/2025 për vula në sistemin gjyqësor si dhe ka bërë emërimin e anëtarit rezerv të Panelit për lirim me kusht nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu, u shpall konkursi për administratorë të Gjykatës Supreme të Kosovës, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykatës Komerciale si dhe Gjykatave Themelore në Prizren, Pejë, Gjilan dhe Ferizaj. Këshilli mori edhe disa vendime të tjera të karakterit administrativ dhe funksional.
