Edhe pse tenderi për përzgjedhjen e operatorit ekonomik i cili do t’i bartte dërgesat diplomatike, respektivisht materialin zgjedhor në të gjitha përfaqësitë diplomatike, ende nuk është mbyllur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar një proces të ri paralel te përzgjedhjes së operatorit për dërgesa postare.
Express raporton se Prokurimi i KQZ tashmë ka kërkuar oferta të reja.
Edhe pse janë vetëm dy javë që na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, “lëmshi” i krijuar nga KQZ në procesin e votimit të diasporës, si duket vetëm po rritet edhe më shumë dhe zgjidhjes nuk po i shihet fundi.
KQZ më 17 janar 2025 kishte shpallur operatorin Ekonomik “A.L DUSHI” operator të “përgjegjshëm” për bartjen e materialit zgjedhor drejt përfaqësive diplomatike dhe anasjelltas edhe pse ky operator kishte ofertuar me çmim gati dy herë më të lartë se operatori i parë.
OE “A.L. DUSHI” iu kishte ndërprerë kontrata nga Ministria e Punëve të Jashtme më 24.12.2024 pas skandalit të shkaktuar me humbjen e më shumë se 400 pasaportave të bashkatdhetarëve dhe më shumë se 100 dokumenteve zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës.
Për të njëjtin operator, Ministria e Punëve të Jashtme kishte kërkuar të futet në listë të zezë duke mos pasur mundësi që të marrë pjesë në asnjë tender publik në afat prej 1 viti.
Ky skandal raportohet se nuk e kishte penguar KQZ-në që të shpallin fitues “A.L DUSHI”, edhe pse me çmim dy herë më të lartë se operatori i parë.
Pas ankesës së operatorit me ofertën më të ulët, KQZ me 23.01.2025 morri vendim për pezullim të procesit deri në njoftimin e radhës.