Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar për 28 shtator seanca ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Osek Hylë të Gjakovës.
Seanca pritet të mbahet nga ora 09:30, në sallën D17 të Pallatit të Drejtësisë, nën kryesimin e gjyqtares Violeta Namani Hajra.
Gjykata i ka bërë thirrje Ibrajt që të dorëzohet para organeve të ndjekjes, në mënyrë që procedura penale të zhvillohet në praninë e tij. Ndërkohë, qytetarët që kanë informacione për vendndodhjen e tij janë ftuar t’i njoftojnë organet kompetente.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e ngritur më 19 mars 2025, e ngarkon Ibrajn për krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë periudhës 1998–1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave serbe.
Sipas përmbledhjes së aktakuzës në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, njëra nga pikat lidhet me vrasjen e një civili më 28 shkurt 1998 në Osek Hylë. Prokuroria pretendon se Ibraj kishte qëlluar viktimën me armë automatike në prani të familjarëve.
Në aktakuzë përfshihen edhe pretendime se civilë të tjerë ishin rrahur dhe dërguar në stacionin policor, ku dyshohet se ishin keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje.
Një tjetër pikë e aktakuzës e ngarkon Ibrajn për dhunimin e një gruaje shqiptare gjatë nëntorit 1998, në bashkëkryerje me babanë dhe vëllanë e tij.
Prokuroria ka propozuar dëgjimin e dhjetë dëshmitarëve, të cilët njëkohësisht janë të dëmtuar në këtë proces.
