William Walker, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, është paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
I pyetur përse është në gjykatë dhe a lidhet kjo me rastin e Masakrës së Reçakut, Walker ka thënë vetëm se ka marrë ftesë dhe se i është përgjigjur pozitivisht asaj.
“Më është bërë kërkesë që të vij në Gjykatë dhe kur më kërkohet, unë vij”, ka thënë ai. “Supozoj se po (ka të bëjë me Masakrën e Reçakut, v.j.). Ashtu supozoj, por s’jam i sigurt. Në këtë gjë jam i përfshirë tashmë qe 26 vjet. Kështu që mezi po pres të flas”.
Seanca, ku pritet dëshmia e tij, është e mbyllur. Siç mëson KOHA, Walker ka ardhur në kuadër të asaj që quhet hetuesi e veçantë që bëhet në rastet kur vlerësohet se një dëshmi duhet të merret jashtë radhe shkaku i rrezikut që dëshmitari nuk do të mund të dëshmojë shkaku që llogaritet se është në moshë shumë të shtyrë.
Në sallë nuk ka të dyshuar, por vetëm avokatë të të dyshuarve në mungesë. I pranishëm është edhe prokurori special Ilir Morina.
