Në Prishtinë u mbajt konferenca shkencore “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008”, e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Drejtoresha e këtij instituti, Teuta Shala-Peli, theksoi rolin jetik të diasporës si zë i çështjes kombëtare në botë.
“Diaspora shqiptare ka qenë një shtyllë e fuqishme që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Ajo ka qenë zëri ynë në botë, duke lobuar dhe protestuar, duke mbajtur gjallë çështjen kombëtare. Diaspora shqiptare dha shembullin më të lartë të veprimit kombëtar. Kjo konferencë hedh dritë mbi çështjet kombëtare. Do të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj që ta ruajnë me pasion çështjen kombëtare. Jam thellësisht e bindur që sot diskutimet do të sjellin ndriçime të reja për historinë bashkëkohore të Kosovës”, tha Shala -Peli.
Ndërsa, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Hamit Kaba, nënvizoi se diaspora ka qenë katalizator për ruajtjen e identitetit dhe interesave kombëtare.
“Ne do të japim më të mirën tonë, por sigurisht që ky është problem madhor dhe ne po cekim vetëm një pjesë të problemeve të diasporës së shqiptarëve. Sipas të dhënave në dy dekadat e fundit, mbi një milion qytetarë punojnë jashtë vendit. Diaspora shërben si katalizator për të ruajtur çështjet kombëtare. Çështjet kombëtare mbesin në fokusin e saj. Aktiviteti i diasporës ka ndjekur trendin e ndryshimeve, veçanërisht duke filluar nga demonstratat e vitit 1981. Në të ardhmen është e nevojshme të merren studime të plota gjatë gjithë historisë shqiptare si faktorë të urëlidhësve të shqiptarëve me shtetin amë”, tha Kaba.
Skender Hasani nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, theksoi se diaspora ka vepruar si bartëse e kujtesës kolektive dhe ka ndikuar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare.
“Në harkun kohor të viteve 1912–2008, shoqëria shqiptare është shoqëruar me tensione dhe rrethana të imponuara. Diaspora nuk ka vepruar si faktor mbështetës i mekanizmave që ndikojnë në mekanizmat e brendshëm në vend. Diaspora ka shërbyer si bartëse duke përdorur mjetet e shtypit dhe krijoi një pasqyrë të realitetit të heshtur. Kjo energji e kanalizuar përmes organizimeve nuk përbënte vetëm reagim emocional, por ndikonte në çështjet e ndërkombëtarizimit. Diaspora veproi si reflektim i një kujtese kolektive. Mobilizimi i diasporës nuk ishte vetëm reagim i rrethanave, por si një projekt të përbashkët. Çdo qytet kur u ngrit për të drejtat në trojet shqiptare, diaspora u shndërrua në një ndërmjetëse nga jashtë në brendësi”, tha Hasani.
Historiani, Arbër Hadri, foli rreth rolit të diasporës shqiptare-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Diaspora ka luajtur rol ndërkombëtar dhe ka luajtur rol përcaktues për çështjet ndërkombëtare në botë, për të qenë të lirë dhe të pavarur. Kontributi i diasporës shqiptare ka luajtur rol përcaktues për çështjet kombëtare në përgjithësi. Ishte burimi kryesor i lobimit të çështjeve të shkeljeve të drejtave të njeriut në Kosovë. Ky lobim ishte sfidë e fuqishme e mbrojtjes shqiptare në Uashington. Kongresi i SHBA-së luajti rol për çështjen e shqiptarëve. Në të gjitha rezultatet dallojmë rëndësinë e saj strategjike që dënonte shtypjen dhe fliste për të drejtat e shqiptarëve që bënte një akt të rëndësishëm”, tha Hadri.
