Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka deklaruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind do të operojë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe komunat veriore.
Sipas ZRRE-së, tarifat janë të detyrueshme edhe për furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever, që përfshin komunat në veri.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever. Rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO. Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE”, thuhet në njoftimin e publikuar të hënën në Facebook.
Dy padi janë paralajmëruar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1 për qind.
Njëra do të deponohet nga grupi protestues “Asnjë Cent Më Shumë”, menjëherë pasi ZRRE-ja ta publikojë vendimin për shtrenjtimin e energjisë.
Avokati i angazhuar nga ky grup, Ardian Bajraktari, ka bërë të ditur se përveç padisë, do të paraqitet edhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
“Po presim që sa më parë të publikohet në mënyrë që ta analizojmë dhe ta finalizojmë padinë sa më parë, përmes së cilës normalisht që do të kërkohet anulimi i këtij vendimi që është marrë me shkelje ligjore. Krahas padisë, natyrisht që do të paraqesim edhe masën për sigurimin e padisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për të cilin natyrisht që jemi të bindur që plotësohen kriteret ligjore për aprovimin e një propozimi të tillë ngase dëmet që u shkaktohen qytetarëve janë në formë zinxhirore dhe vështirë të riparueshme”, ka thënë avokati Bajraktari.
Një padi tjetër është paralajmëruar të ngrihet ndaj ZRRE-së, nga përfaqësues të bizneseve.