Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka sekuestruar rreth 10 kilogramë e 500 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë gjatë një operacioni të zhvilluar sot në fshatin Nabërgjan të Pejës.
Operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e Njësitit për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operative.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, i cili ka koordinuar dhe mbikëqyrur veprimet e mëtejshme procedurale.
Gjatë operacionit, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I dyshuari është duke u intervistuar nga hetuesit në Stacionin Policor, ndërsa hetimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale po vazhdojnë nën udhëzimet dhe koordinimin e prokurorit të shtetit.
Përveç substancës narkotike, gjatë operacionit është sekuestruar edhe një telefon mobil, i cili do të jetë objekt i procedurave të mëtejshme hetimore.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që lidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike.
